Lidhje me faqet e vjetra të PKG
Për pavarësinë e lëvizjes komuniste nga interesat e klasave borgjeze dhe të aleancave të tyre dhe rindërtimin revolucionar të saj
Nga Elisheos VAGENAS*
Pak ditë pas 1-vjetorit të fillimit të Luftës së Parë Botërore, në Zauberwald të Zvicrës, partitë socialiste nga 11 shtete (Gjermanisë, Francës, Rusisë, Polonisë, Rumanisë, Bullgarisë, Italisë, Holandës, Zvicrës, Suedisë dhe Norvegjisë) mbajtën një konferencë që u regjistrua në histori me emrin e qytetit që e priti. Nga gjithsej 38 delegatë, vetëm 8 prej tyre kishin një linjë të qartë revolucionare - internacionaliste, megjithatë, kontributi vendimtar i Leninit dhe krahut të majtë të asaj konference do të linte një gjurmë të fortë në Manifestin e aprovuar nga Konferenca e Zauberwald-it, e cila e karakterizoi Luftën e Parë Botërore si një luftë imperialiste, dënoi idenë e "mbrojtjes së atdheut" në këtë luftë kundër popujve, si një «gënjeshtër borgjeze». Theksonte se ideja e paqes pa luftë revolucionare është një frazë boshe dhe gënjeshtër. Manifesti i asaj Konference dënonte Internacionalen e Dytë për qëndrimin e saj ndaj luftës imperialiste. Duke vlerësuar këtë Konferencë, Lenini vuri në dukje se ishte shënuar një linjë divorc me oportunizmin dhe socialshovinizmin, megjithëse me vonesë. Konferenca e Zauberwald-it kishte tronditur ujërat në lëvizjen socialiste ndërkombëtare të asaj epoke, duke i hapur rrugën formimit, 4 vjet më vonë, të Internacionales së Tretë (Komuniste).
Sot, 108 vjet më vonë, një tjetër luftë, mes fuqive të mëdha imperialiste, që po zhvillohet në territorin e Ukrainës dhe që “mbart” rrezikun e zgjerimit të saj, po shkakton procese serioze në linjat e lëvizjes komuniste ndërkombëtare.
Natyrisht që, nuk duhet të hutohemi nga fakti se edhe sot lëvizja komuniste ndërkombëtare gjendet në një tërheqje e cila nuk ka përfunduar, me dorëheqje nga emrat dhe simbolet nga disa Parti Komuniste. Dhe kjo sepse ekzistojnë parti, që ende mbajnë simbolet e tyre të kuqe, por ndjekin një politikë të mbështetjes së interesave borgjeze, si p.sh. po ndodh në raste të ndryshme, qoftë kur flasim për Partinë Komuniste të Kinës, e cila menaxhon kapitalizmin në Kinë, qoftë kur flasim për partitë eurokomuniste të Europës, që mbështesin BE-në, si p.sh. Partia Komuniste e Spanjës e cila merr pjesë në qeveritë borgjeze dhe në menaxhimin e kapitalizmit në shtetet e tyre, ose në Rusi, ku, duke u mbështetur në ndjenjat popullore antifashiste, Partia Komuniste e Federatës së Rusisë (PKFR) dhe Partia Komuniste Punëtore e Rusisë (PKPR) mbështesin interesat e monopoleve ruse dhe të pushtetit borgjez për territore, pasuri minerale, mbështetje gjeopolitike, jo vetëm me luftën në Ukrainë. Kështu p.sh. së fundmi, në një artikull të një kuadrit të PKPR-së pohoi se duhet të mirëpresim investimet ruse në Afrikë sepse ato nuk janë dhe aq grabitqare sa ato të monopoleve perëndimore!
Vlerësimi i Partisë sonë se po lypet një pol komunist, i cili do të mbrojë marksizëm-leninizmin dhe internacionalizmin proletar, është 100% i vlefshëm. Si dhe 100% i vërtetë është vlerësimi i bërë 108 vjet më parë nga Lenini, se «për të krijuar një organizatë marksiste ndërkombëtare, duhet të ekzistojë gatishmëria për të krijuar parti marksiste të pavarura në vende të ndryshme» {1}. Me kuptimin pavarësi të lëvizjes punëtore nga interesat borgjeze, pra vetë-varësinë e saj. Duhen Parti Komuniste me parimet e marksizëm-leninizmit, që do të thotë se ato do të parashtrojnë nevojat e luftës klasore për përmbysjen e sistemit shfrytëzues në vendin e tyre dhe ndërkombëtarisht, që të mos të jenë të "lidhura" me interesat borgjeze dhe brenda “zigjit” të interesave gjeopolitike, të cilat edhe sot ushtrojnë ndikim në lëvizjen komuniste ndërkombëtare.
Takimi i 23-të Ndërkombëtar
Konsideratat e mësipërme janë veçanërisht të rëndësishme në funksion të Takimit të 23-të Ndërkombëtar të Partive Komuniste dhe Punëtore (TNPKP), që do të zhvillohet më datat 20 - 22 tetor 2023 në Izmir të Turqisë dhe do të organizohet nga Partia Komuniste e Turqisë me Temë: «Betejat politike dhe ideologjike në konfrontimin kundër kapitalistëve dhe imperializmit. Detyrat e komunistëve për informimin dhe mobilizimin e klasës punëtore, rinisë, gruas dhe intelektualëve, në luftë kundër shfrytëzimit, shtypjes, shpifjeve imperialiste dhe revizionizmit historik, për të drejtat sociale dhe demokratike të punëtorëve dhe popujve, kundër militantizmit dhe luftës, për paqen dhe socializmin».
Në Takimet Ndërkombëtare të Partive Komuniste dhe Punëtore, të cilat filluan në vitin 1998 me iniciativën e Partisë Komuniste të Greqisë (KKE), kurrë nuk pushoi lufta ideologjike dhe politike rreth çështjeve serioze, siç është çështja e përputhjes së strategjisë së PK-ve me karakterin e epokës sonë, pasi shumë PK mbeten të “robëruara” në strategjinë e “fazave” drejt socializmit, pra, të bllokuara në menaxhimin e sistemit kapitalist, përmes pjesëmarrjes apo mbështetjes së qeverive të qendrës së majtë, “të majta” apo “patriotike”.
Konfuzionet rreth imperializmit mbeten të forta, ku Partitë Komuniste gabimisht e identifikojnë këtë koncept me SHBA-të, ose me disa shtete të fuqishme kapitaliste në Europë. Në “ujërat e ndenjura” të kësaj qasjeje kaq të gabuar, përjetësohen dhe nocionet se mund të ekzistojë një botë tjetër paqësore, një «botë multipolare», nga disa shtete të mëdha “paqësore”, që do ta “zbusin” agresionin e SHBA-ve dhe forcave të tjera imperialistë, pa qenë e domosdoshme përmbysja e kapitalizmit.
Siç e shohim, po riprodhohen pikëpamje të cilat Lenini i luftonte 108 vjet më parë. Edhe këtë herë këto pikëpamje zgjerohen dhe “gëlltisin” parti të tëra, veçanërisht ato që sot “riciklojnë” pikëpamjet e periudhës së ashtuquajtur “perestrojkë” apo edhe të periudhave të më përparshme të «bashkëjetesës paqësore dhe garës së socializmit me kapitalizmin», të «sistemeve rajonale të sigurisë», të «kalimit paqësor» për në socializëm, pikëpamje që përfundimisht mbizotëruan në Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (PKBS) pas kongreseve të 20-të dhe 22-të dhe çuan në degjenerimin e shumë Partive Komuniste në Lindje dhe Perëndim. Dhe gjërat janë edhe më keq për ato PK, të cilat nuk janë ulur për të studiuar shkaqet e kundërrevolucionit dhe përmbysjes së socializmit dhe besojnë se socializmi mund të ndërtohet në mënyrë integrale me mjetet e tregut, me të ashtuquajturën «ekonomi të përzier», dhe madje e shohin këtë gjë në fytyrën e një gjigandi kapitalist, që është sot Kina, një shtet që gjoja ndërton «socializëm me karakteristika kineze».
Këto dhe shumë çështje të tjera komplekse, të cilat janë në qendër të luftës ideologjike dhe politike, janë veçanërisht kritike në kushtet e sotme ku po zhvillohet lufta imperialiste midis bllokut imperialist të euroatlantizmit (shih SHBA, NATO, BE, etj.) dhe bllokut imperialist euroaziatik në formim e sipër (shih Kinë, Rusi, etj.). Në këto kushte, një sërë Partish Komuniste riprodhojnë pretekstet dhe argumentet e njërës anë të konfliktit imperialist, kryesisht të palës Kineze dhe Ruse. Veç kësaj, në skajet e lëvizjes komuniste ndërkombëtare, disa PK, duke bashkëpunuar me grupe maoiste, si p.sh. M-L e Britanisë, por edhe partia qeverisëse socialdemokrate e Venezuelës - PSUV, së bashku me grupe të panjohura dhe madje të "çuditshme", kanë formuar të ashtuquajturën «Platforma Globale Anti-Imperialiste» (më poshtë, PGA), e cila prezantohet si apologjeti zyrtar i bllokut imperialist euroaziatik.
Këtu nuk duhet të mos shohim rolin shumë të dobishëm të PGA-së edhe për interesat e SHBA-ve. Dhe kjo sepse SHBA-të prej kohësh po përpiqen të ndërtojnë një "maskë" ideologjike të konfliktit imperialist që është në zhvillim: Sipas këtij konstruksioni ideologjik në njërën anë të konfliktit gjenden SHBA-të, me vendet e tjera “demokratike” dhe në anën tjetër të tij “Kina komuniste dhe vende të tjera që kanë regjime totalitare, si Rusia”. Për imperializmin amerikan, ky interpretim është veçanërisht i volitshëm, për të bindur punëtorët e vendeve të NATO-s për nevojën e mbështetjes së luftës dhe në të njëjtën kohë, për të forcuar fushatën e shpifjeve antikomuniste. Në fund të fundit, bazuar në këtë narrativë, në shtetet e BE-së po vazhdon shkatërrimi i papranueshëm i monumenteve/lapidareve antifashiste dhe sovjetike. Në praktikë dhe përtej deklaratave, duket se PGA-ja çon “ujë në mullirin” e SHBA-ve dhe po riprodhon këtë dallim, duke folur për “kinë socialiste” dhe duke i përshkruar shtetet e tjera kapitaliste, të cilat shfrytëzojnë punëtorët dhe sulmojnë të drejtat e tyre, si gjoja forca “anti-imperialiste”. Këto dallime, veç të tjerash, “u vijnë përshtat” atyre që shfrytëzojnë teorinë e totalitarizmit dhe të identifikimit të papranueshëm të fashizmit me komunizmin.
Pra, jo rastësisht, Partia Komuniste e Greqisë (KKE) është në shënjestrën e sulmeve provokatore të PGA-së, sepse KKE nxjerr në pah shkaqet e vërteta të luftës imperialiste, duke ekspozuar alibitë e të dyja palëve, dallimet e tyre të rreme dhe i bën thirrje popujve të mos mbështesin asnjë kamp grabitqarësh imperialistë. Në fund të fundit, këto kritere i vendosi edhe Lenini në epokën e tij për qëndrimin e komunistëve përball luftës imperialiste. Me të njëjtat kritere, Partia Komuniste e Greqisë (KKE) nuk pranon të hyjë në "kallëpet" që do të donin të na fusnin imperialistët amerikanë dhe "ndihmësit" në çdo vend duke përdorur një terma gjoja "antiimperialiste", siç është, për fat të keq, rasti me një sërë Partish Komuniste të cilat janë joshur në mënyrë të pafalshme prej saj.
Lojërat gjeopolitike dhe formimi i Partisë Komuniste së rremë të Venezuelës
Për sa kohë që një sërë partish lëvizin të bazuara në qasjet borgjeze, përderisa qasjen klasore e kanë zëvendësuar me “busullën” e qasjeve gjeopolitike joklasore dhe me qëndrimin e ashtuquajtur “interesa kombëtare”, aq më të forta bëhen presionet që ushtrojnë mbi Takimin Ndërkombëtar të Partive Komuniste dhe Punëtore dhe në tërësi të Lëvizjes Komuniste Ndërkombëtare lojërat e ndryshme gjeopolitike për përmirësimin e pozitës së klasave borgjeze, të cilat Partitë Komuniste kërkojnë të angazhohen në krahë të tyre me pretekste të ndryshme.
Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me Kinën, që është një nga fuqitë më të forta në botën e sotme kapitaliste, që përdor flamujt e kuq, për të na bindur se ne nuk kemi një konflikt me SHBA-të mbi terrenin e kapitalizmit, por një «luftë të ftohtë të re», gjoja një konfrontim të ri midis kapitalizmit dhe socializmit. Një pjesë e PK-ve, të cilat vetëm në formë sipërfaqësore qëndrojnë kundër zhvillimeve, e mbështesin një pretendim të tillë, i cili kërkon ta vendosë Lëvizjen Komuniste Ndërkombëtare nën “sqetullën” e njërës anë të konfliktit imperialist.
Mirëpo, përpjekje për të manipuluar PK-të dhe për ti përdorur ato në marrëdhëniet ndërkombëtare për promovimin e interesave të tyre, po përdorin edhe klasa të tjera borgjeze, si p.sh. ajo e Venezuelës. Kështu, ndërsa PSUV, partia qeverisëse e Venezuelës, ka marrë një rol udhëheqës në Platformën Globale Antiimperialiste (PGA), në vetë shtetin e saj ka nisur një operacion të paprecedentë antikomunist, me ndërhyrje të shtetit borgjez në punët e brendshme të Partisë Komuniste të Venezuelës, ku me vendim gjykate pushoi kryesinë e partisë dhe emëroi një kryesi tjetër nga zyrtarë të qeverisë së PSUV.
Sigurisht, kjo nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë. Në të kaluarën, regjimi borgjez i Kazakistanit, me vendim gjykate shpalli të jashtëligjshme PK të Kazakistanit dhe formoi një PK "të vetin", të quajtur Partia Popullore Komuniste e Kazakistanit, e cila gjithashtu zgjodhi deputetë dhe kërkoi t'i bashkohej Takimeve Ndërkombëtare të Partive Komuniste dhe Punëtore, por pa sukses.
Kjo përpjekje për të sulmuar dhe diskredituar PK të Venezuelës po kryhet në emër të së ashtuquajturit «Revolucion Bolivarian» dhe «Socializmit të shekullit 21», dhe ndërsa ka filluar një ofensivë masive dhe gjakpirëse ekonomike ndaj klasës punëtore venezueliane dhe shtypjes brutale të luftës së saj, nga ana tjetër po bëhen pazare nga qeveria “socialiste” me SHBA-të për aksese në naftën e vendit.
Rasti i «“Iniciativës Komuniste të Europës»
Rreth 20 vjet më parë, bashkimi i kapitalit europian, BE-ja, vendosi të promovojë politikën e saj përmes të ashtuquajturave «partitë evropiane». Kështu që, me Rregulloren e BE-së 2004/2003, të votuar në Parlamentin Europian dhe me vendim të Këshillit të BE-së të 4 nëntorit 2003, rregullore për partitë politike në nivel europian dhe financimin e tyre, u hap rruga për të ashtuquajturat «Partitë Europiane». Mbi këtë bazë, u formua në vitin 2004, ndër të tjera edhe «Partia e së Majtës Europiane» (PME) me iniciativën e një sërë partish eurokomuniste, komuniste mutante dhe parti të tjera “të majta”.
Partia e së Majtës Europiane (më poshtë, PME), si një nga partitë «europiane» u formua që në fillim me inkurajimin, drejtimin dhe financimin e vetë BE-së dhe me kushtin e pranimit të qartë të objektivave dhe "parimeve" të BE-së. Kjo, siç çdo parti që krijohet mbi bazën e këtyre rregulloreve, do të thotë se «konkretisht në programin e vet dhe në aktivitetin e saj respekton parimet mbi të cilat bazohet BE-ja». Partitë që formuan PME-në deklaruan se kapitalizmi mund të "humanizohet" dhe BE-ja të "demokratizohet", duke synuar të manipulojnë punëtorët në sistemin borgjez.
Kundër këtij plani të BE-së, në vitin 2013 me iniciativë të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE) u formua «Iniciativa Komuniste Europiane» (më poshtë, IKE), e cila me Deklaratën e saj Themeluese theksoi se «Ne e konsiderojmë BE-në një zgjedhje të kapitalit (...) se ka një rrugë tjetër zhvillimi për popujt. Përmes betejave të punëtorëve del në pah perspektiva e një Europe tjetër, e mirëqenies së popujve, e përparimit shoqëror, e të drejtave demokratike, e bashkëpunimit të barabartë, e paqes, e socializmit.» IKE-ja iu kundërvu drejtpërdrejt të ashtuquajturave «parti europiane» të BE-së.
Kështu IKE u formua si një formë bashkëpunimi mes Partive Komuniste, të cilat bazohen në komunizmin shkencor dhe qëndrojnë kundër BE-së, kundër kapitalizmit, duke luftuar për interesat dhe kauzën e klasës punëtore.
Në vitet e veprimtarisë së saj, IKE zhvilloi aktivitete të caktuara, por kryesisht me një sërë qëndrimesh të Plenumit apo Sekretariatit të saj orientonte drejt në një sërë çështjesh aktuale politike dhe ideologjike, që nga sulmi ndaj të drejtave të punëtorëve e deri te çështjet e mjedisit dhe solidaritetit me emigrantët.
Kjo nuk do të thotë se brenda IKE-së nuk ka pasur kontraste dhe probleme. 2 vjet më parë, KKE mbajti qëndrim publik me dokumentet e Kongresit të 21-të të saj, duke folur për konfuzione dhe probleme ideologjiko-politike, për shumë vështirësi në përpunimin e strategjisë revolucionare dhe në lidhjen e saj me luftën aktuale klasore në kushtet shumë negative të raportit të forcave, diçka që riprodhon sulmin oportunist. Natyrisht që, në bllokimin e funksionimit të IKE-së, rol kryesor luajti ndikimi i luftës imperialiste, qasjet e ndryshme që lindën për faktin se një sërë partish nuk e trajtojnë imperializmin me kritere leniniste dhe nuk kanë nxjerrë konkluzione nga Historia p.sh. për “frontet antifashiste”, të strategjisë së fazave etj.
Sidomos në vitet e fundit, këto parti kanë treguar jo vetëm për çështjen e luftës imperialiste, por edhe për çështje të tjera, dorëheqje serioze nga qëndrimet e rëna dakord brenda kontestit të IKE-së. Janë tipike qëndrimet e disa partive të caktuara, që merrnin pjesë në IKE, me të cilat i kthehen kundër emigrantëve, apo deklarata e publikime të tjera në favor të zyrtarëve borgjezë, p.sh. pro Orban-it apo edhe Trump-it, apo ndërtimi i aleancave politike me forcat e ekstremit të djathtë, madje edhe fashiste në emër të mbrojtjes së "sovranitetit" apo gjoja "anti-imperializmit".
Në praktik patëm dorëheqjen e një sërë partish nga parimet komuniste, nga parimet themeluese të Iniciativës Komuniste Europiane (IKE), që tregon rrëshqitjen e tyre oportuniste dhe lidhjen me forcat dhe interesat borgjeze. Si “fitil ndezës” në zhvillimet e mësipërme ishte qëndrimi i partive ndaj luftës imperialiste, diçka që së fundmi çuan në bllokimin dhe përfundimisht në ndërprerjen e funksionimit të IKE-së, gjë që, megjithatë, në asnjë mënyrë nuk nënkupton dhe ndërprerjen e përpjekjeve të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE) dhe të Partive të tjera Komuniste për rindërtimin revolucionar të lëvizjes komuniste ndërkombëtare. Përkundrazi, duke shfrytëzuar përvojën e grumbulluar, bën të domosdoshëm koordinimin e PK-ve mbi baza sa më të forta, ideologjiko-politike komuniste dhe procese të tilla pozitive janë në zhvillim e sipër.
Nevoja për të ndërmarrë hapa në rindërtimin revolucionar të lëvizjes komuniste ndërkombëtare
Sot në të gjithë botën kapitaliste, dhe pavarësisht nga niveli i zhvillimit kapitalist, po intensifikohet shfrytëzimi i klasës punëtore, represioni shtetëror dhe i punëdhënësve po intensifikohet, antikomunizmi, antagonizmat ndër-imperialiste po përgjakin popujt, punëtorët në mbarë botën kanë një armik të përbashkët: monopolet, klasat borgjeze, aleancat e tyre imperialiste, kapitalizmin. E përbashkët duhet të jetë lufta klasore për përmbysjen e këtij sistemi shfrytëzues, që kryhet në të gjithë botën kapitaliste dhe ka karakter global. Nga këtu buron detyra e përhershme dhe e palëkundur e Partisë sonë për rindërtimin dhe zhvillimin revolucionar të Lëvizjes Komuniste Ndërkombëtare.
Kjo detyrë nuk është e thjeshtë, dhe ne jemi të vetëdijshëm se i gjithë procesi i rindërtimit revolucionar është i ngadalshëm, i lodhshëm dhe vulnerabël. Varet nga arritja e aftësisë së një numri të bollshëm të Partive Komuniste për t’u forcuar në mënyrë të gjithanshme në vendin e tyre ideologjiko-politikisht dhe organizativisht, për të arritur dhe forcuar lidhjet e tyre me klasën punëtore, për të kapërcyer qëndrime të gabuara që dominonin në Lëvizjen Komuniste Ndërkombëtare në dekadat e mëparshme dhe që riprodhohen në forma të ndryshme sot, të ndërthurin veprimtarinë revolucionare me teorinë revolucionare, për të ndërtuar një qëndrim parimor të pavarur militant përballë çdo klase borgjeze të vendeve të tyre, përballë çdo klase borgjeze dhe çdo aleance imperialiste të tyre. Nga kjo do të varet nëse lëvizja komuniste do të luftojë faktorët që e prapësojnë atë dhe do të marshojë në një kurs rindërtimi revolucionar, duke marrë parasysh se epoka jonë shpreh domosdoshmërinë e kalimit nga kapitalizmi në socializëm dhe karakteri i revolucionit është socialist.
*Elisheos Vagenas është anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE), përgjegjës i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Komitetit Qendror.
__________________
{1} V.I. Lenin, Veprat në shqip, Vëllimi 21, Fq.358, Shtëpia Botuese Shtetërore e Letërsisë Politike