Lidhje me faqet e vjetra të PKG
Për luftën e Ukrainës dhe propozimin kinez për "paqe"
“Paqja” e tyre “ndërtohet” mbi rrënojat dhe brenda flakëve të luftës imperialiste
Nga Elisheos VAGENAS*
«Ata që gjenden lart thonë:
Lufta dhe paqja
Janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme.
Por paqja dhe lufta e tyre
Ngjajnë si era dhe stuhia.
Lufta lind nga paqja e tyre
ashtu si djali nga nëna.
Ka tiparet e saj të tmerrshme»
(B. Brecht)
“Proceset e paqes” dhe iniciativat e lidhura me to, në thelb, zgjidhjet me ndërhyrjen e forcave të fuqishme imperialiste, janë shfaqur në shumë pjesë të planetit tonë që në ditët e para të pranverës.
Kështu që:
Në Serbi po promovohet një plan "paqësor" franko-gjerman, i cili kërkon që qeveria serbe të pranojë njohjen indirekte të protektoratit NATO-ik, Kosovës, në këmbim të "lehtësimit" të integrimit të Serbisë dhe Kosovës në "gjirin" e euro-atlantizmit.
Një "konferencë sigurie" pesë-palëshe e SHBA, Izraelit, Egjiptit, Jordanisë dhe Autoritetit Palestinez u mbajt në Akaba të Jordanisë, me qëllim "zbutjen dhe parandalimin e dhunës së mëtejshme" midis fajtorit (shih Izraelin) dhe viktimës (shih popullin e Palestinës).
Në Indi, fillimisht ministrat e Financave dhe më pas ministrat e Jashtëm të Grupit G-20, pra të 20 shteteve më të fuqishme kapitaliste, diskutuan çështje të sigurisë globale, por pa rënë dakord.
Përveç kësaj, Kina parashtroi planin e saj me «12-pika» për zgjidhjen e luftës në Ukrainë, e cila në vetë këtë tekst nuk përmendet me emrin e saj, por si "kriza ukrainase".
Duke perifrazuar poetin, Brecht, duhet të themi se në të gjitha "planet e mësipërme të paqes", "paqja" ngjan me luftën imperialiste dhe ka të njëjtat karakteristika neveritëse, p.sh. në të gjitha planet e mësipërme “gur themeli” vazhdojnë të jenë fitimet e monopoleve, pra, ato që kanë çuar në ndërhyrjet dhe luftërat imperialiste.
Më poshtë do të merremi ekskluzivisht me “planin e paqes” kinez {1}, që ka të bëjë me luftën imperialiste në Ukrainë.
Një luftë e çuditshme...
E vërteta është se pushtimi rus i Ukrainës, në shkurt 2022, ishte vetëm shpallja formale e luftës që kishte filluar prej vitesh, midis forcave të SHBA - NATO - BE, të cilat përdorin Ukrainën si "majë thike", dhe nga ana tjetër Rusia kapitaliste, e cila përdoret si “airbag-u” i Kinës në konfliktin e madh të kësaj të fundit me SHBA-të, për primatin në sistemin imperialist.
Sigurisht që po flasim për një luftë “të çuditshme”. Aty ku në të njëjtën kohë mijëra njerëz po masakrohen në beteja, kapitalistët e të dy palëve të luftës dhe qeveritë e tyre ruajnë ende, ndonëse edhe pse të kufizuara në krahasim me para shkurtin e 2022-it, bashkëpunime të qëndrueshme, përfshirë mes të tjerave edhe atë tregtar.
Kështu, për shembull, Rusia ende po shet uranium në SHBA dhe Francë për stacionet e tyre bërthamore. Madje, ajo mbulon 20% të nevojave të 92 reaktorëve bërthamorë të SHBA-ve {2}, ndërsa Franca në vitin 2022 mori 153 ton uranium nga Rusia, duke mbuluar 15% të nevojave të saj {3}. Një shembull tjetër: Në 2 mars, nga Qendra Hapësinore amerikane «Kennedy» e NASA-s në Kepin Canaveral të Florida-s, një anije kozmike me një ekuipazh prej katër vetash, dy amerikanë, një kozmonaut rus dhe një astronaut nga Emiratet e Bashkuara Arabe, u nis me drejtim Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Ndërsa në të njëjtën ditë «Gazprom-i» rus njoftoi se kishte dërguar 42.4 milionë metër kub gaz natyror në BE përmes tubacioneve të Ukrainës së shkatërruar nga lufta, për të ngopur aksionarët e saj kapitalistë. Ndërsa "Chevron-i" amerikani vazhdon të ngarkojë nga porti rus i Novorossiysk-it të Detit të Zi naftën që nxjerr në Kazakistan dhe që arrin atje duke kaluar një tubacion prej 1.500 km nëpër territoret e Kazakistanit dhe Rusisë. Nga ky tubacion “hidhen” në tregun botëror 2/3 e naftës së nxjerrë në Kazakistan.
Përveç kësaj, lëndët e para dhe mallrat e tjera ruse ende kanalizohen përmes "palëve të treta" në të ashtuquajturin "Perëndimin kolektiv", siç është terminologjia që përdor Rusia për të përshkruar shtetet që zbatojnë embargot tregtare kundër saj, madje edhe Japoninë apo Australinë, të cilat gjeografikisht nuk i përkasin Perëndimit.
Dhe, nga ana tjetër, produktet e prodhuara në "Perëndimin kolektiv" i shiten Rusisë përmes së ashtuquajturit "Jugut Global", siç karakterizohen tashmë shtetet që nuk respektojnë embargon anti-ruse, mes tyre Kina, India, Turqia dhe shtete të tjera, të cilat, natyrisht, nuk gjenden në hemisferën jugore të Tokës.
Po ashtu, po hapen edhe “korridoret” e reja tregtare, si korridori «Veri – Jug», p.sh. nga Rusia në portet e Iranit, nëpërmjet Detit Kaspik.
E çuditshme, me të vërtetë, kjo "gjeografi e re", ashtu si dhe kjo luftë imperialiste, e cila, ndërsa është duke korrur mijëra jetë, kryesisht të njerëzve të rinj të Ukrainës dhe Rusisë, vazhdon të rrisë fitimet e pakicës, të cilët po pasurohen që në të dyja anët e luftës.
...dhe "marrëveshjet e paqes" të ngjashme të Minskut
"Plani i paqes" i fundit kinez nuk është i pari që merret konkretisht me këtë luftë. Kishin paraprirë të ashtuquajturat marrëveshjet e Minsk-ut.
Për këto marrëveshje janë absolutisht të vlefshme ato që shkruante edhe një herë B. Brecht-i:
«Kur ata që janë lartë flasin për paqen
populli i thjeshtë e di
se po vjen lufta.
Kur ata që janë lartë mallkojnë luftën
urdhrat për rekrutim janë nënshkruar».
Është karakteristike se Partia Komuniste e Greqisë (KKE) që në momentin e parë nënvizonte të ashtuquajturën "paqartësi diplomatike" të marrëveshjeve specifike të Minsk-ut, e cila tregonte se kishim thjesht një marrëveshje "armëpushimi" përpara se të fillonte një gjakderdhje e re.
Sot është e ditur, nga rrëfimet e Zelensky-t apo Merkel-it, se pala e EuroNATO-s nuk kishte ndërmend të zbatonte asgjë nga këto marrëveshje. Gjithashtu, nga një deklaratë e ish-këshilltarit të Presidentit rus dhe një nga autorët e marrëveshjes Minsk-2, V. Surkov, del se as pala ruse nuk besonte në zbatimin e këtyre marrëveshjeve, kur ishin duke i përgatitur dhe nënshkruar ato {4}.
Por pse at[herë u përgatitën dhe u nënshkruan, duke mbjellë shpresa të rreme te miliona njerëz, para së gjithash tek ata që jetojnë në zonën e luftës?
Kujtojmë se marrëveshjet Minsk-1 dhe Minsk-2 u nënshkruan përkatësisht në vitet 2014 dhe 2015, nën kujdesinë e OSBE-së. Paqartësia e tyre ishte e tillë, për mënyrën sesi do të zbatohej autonomia famëkeqe e rajoneve të Donbasit dhe se si do të ruhej njëkohësisht integriteti territorial i Ukrainës, sa që, që në fillim lindte pyetja: Pse u nënshkruan? Pse për 8 vite të dyja palët na “vinin rrotull mes tyre”, ndërkohë që masakra vazhdonte?
Përgjigja është sepse ashtu u interesonte të gjitha pjesëve të klasës borgjeze dhe ato shprehën një kompromis të përkohshëm në balancën ekzistuese të forcave!
Se, ashtu i interesonte klasës borgjeze ukrainase, e cila ndërkohë ndryshoi Kushtetutën e saj, shtoi atje orientimin drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, mori masa të reja antikomuniste dhe përgjithësisht antidemokratike në kurriz të atyre që vinin në dyshim alternativat e saj gjeopolitike, riarmatosi ushtrinë me armë amerikane dhe përgjithësisht perëndimore, rigrupoi dhe integroi në të (në ushtri) edhe grupet e armatosura fashiste, të tipi Batalioni Azov. Pra, kjo, kërkonte kohë.
Se ashtu, gjithashtu, i interesonte edhe klasës borgjeze ruse dhe pjesës përkatëse të kapitalistëve, të cilët kishin epërsinë në të ashtuquajturat "Demokraci Popullore" të Donbasit, sepse ata pastruan linjat e grupeve të armatosura të vetëmbrojtjes së Donbasit nga çdo element që nuk kontrollohej/drejtohej prej tyre. Gjatë kësaj periudhe, si me magji... u shfarosën (u vranë) sa komandantë të grupeve të armatosura të vetëmbrojtjes të Donbasit që u deklaronin komunistë dhe të majtë. Klasa borgjeze ruse mori një sërë masash për të kontrolluar situatën në Donbas, nëpërmjet financimit dhe riorganizimit të aparatit administrativ borgjez të së ashtuquajturave "Demokracitë Popullore", duke marrë përsipër pajisjet e forcave të tyre, madje duke promovuar atje organizata të ekstremit të djathtë, organizata paraushtarake të armatosura nacionaliste, duke ndjekur shembullin e klasës borgjeze ukrainase.
Kur palët e ndryshme të konfliktit vlerësuan se objektivat që kishin vendosur ishin përmbushur dhe balanca e forcave ishte tashmë e favorshme për ta, marrëveshjet e Minsk-ut i katalizuan edhe zyrtarisht.
Kështu janë, në bazë të përgjithshme, gjërat me marrëveshjet e Minsk-ut.
Propozimi i ri kinez...
Propozimi i paqes i bërë nga Kina përbëhet nga 12 pika, të cilat më shumë ngjajnë me një formulim “rregullash” që do të çojnë në paqe, siç pretendojnë ideatorët e saj.
Në mënyrë të përmbledhur, ato janë si më poshtë:
Pika I: Respektimi i sovranitetit kombëtar i të gjitha shteteve. E Drejta Ndërkombëtare e njohur botërisht, duke përfshirë qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara (OKB), duhet të respektohet rreptësishtë. Sovraniteti Kombëtar, pavarësia dhe integriteti territorial i të gjitha shteteve duhet të sigurohet në mënyrë efektive (...)
Pika II: Braktisja e mentalitetit të Luftës së Ftohtë. Siguria e një shteti nuk duhet të ndiqet në kurriz të së tjerëve. Siguria e një rajoni nuk duhet të arrihet me forcimin apo zgjerimin e marrëveshjeve (blloqeve) ushtarake. Shqetësimet e arsyeshme dhe interesat legjitime në lidhje me sigurinë e të gjitha shteteve duhet të merren seriozisht dhe të trajtohen në përputhje me rrethanat (...)
Pika III: Ndërprerja e luftimeve (...)
Pika IV: Rinisja e bisedimeve të paqes (...)
Pika V: Zgjidhja e krizës humanitare (...)
Pika VI: Mbrojtja e civilëve dhe robërve të luftës (...)
Pika VII: Ruajtja e sigurisë së termocentraleve bërthamore (...)
Pika VIII: Armët bërthamore nuk duhet të përdoren dhe luftërat bërthamore nuk duhet të ndodhin (...)
Pika IX: Lehtësimi i eksporteve të grurit (...)
Pika X: Heqja e sanksioneve të njëanshme (...)
Pika XI: Ruajtja e zinxhirëve të qëndrueshëm industrialë dhe ato të furnizimit (...)
Pika XII: Punë drejt rindërtimit pas konfliktit. Komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë hapa për të mbështetur rindërtimin, me përfundimin e luftimeve, në zonat e konfliktit. Kina është e gatshme të ofrojë ndihmë dhe të luajë një rol konstruktiv në këtë përpjekje.
...dhe “paqartësia” e saj e re diplomatike.
Përshtypja e parë që lexuesi i cili nuk dyshon nga ky propozim, është se është me të vërtet një propozim i mirë dhe koherent për të gjetur më në fund një zgjidhje paqësore. Nuk munguan PK-të nga shtete të tjera që dolën dhe e përshëndetën, si PK-ja eurokomuniste e Spanjës, e cila këndon himne për paqen, ndërkohë që merr pjesë në një qeveri të një shteti anëtar të NATO-s, i cili është përfshirë aktivisht në luftë, duke dërguar një sasi të madhe armësh për qeverinë reaksionare Zelensky. Kaq hipokrizi!
Por me një lexim të dytë, çdo lexues i këtij propozimi do të kuptojë se kemi të bëjmë me një tjetër “paqartësi diplomatike”.
Kështu, propozimi kinez flet përgjithësisht për “respektimin e sovranitetit kombëtar të së gjitha shteteve”, për “pavarësinë dhe integritetin territorial të së gjitha shteteve”. Është karakteristike se në këto kthesa të fjalëve të propozimit kinez, presidenti ukrainas, V. Zelensky, gjeti pikat e veta pozitive, duke vlerësuar se këtu Kina flet për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, të cilat u katalizuan nga pushtimi ushtarak rus i vitit 2022. Gjithashtu dhe pala ruse nuk ka asnjë kundërshtim për këto fraza në propozimin kinez, pasi konsideron se si Krimea, e cila u përfshi në territorin rus në vitin 2014, ashtu edhe territoret e reja të aneksuara në vitin 2022 në Federatën Ruse, përbëjnë pjesë e sovranitetit dhe të integritetit territorial të Rusisë. Krimea, Donetsk, Lugansk, Kherson, Zaporizhia konsiderohen rajone ruse, të cilat tani përmenden me emër në kapitullin 3, të nenit 65 të Kushtetutës së rishikuar të Federatës Ruse {5}.
Pra, të gjithë mund të kuptojmë se propozimi kinez, i cili në përgjithësi i referohet "integritetit territorial" të së gjitha shteteve, përmban "paqartësi diplomatike" me bollëk dhe ka të qartë një lexim të dyfishtë, ndërkohë që vetë Kina bën thirrje që "standardet e dyfishta" të mos përdoren në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Për më tepër, gjithçka që përfshin për "sigurinë e një shteti", e cila "nuk duhet të ndiqet në kurriz të së tjerëve", tashmë janë të përfshira në dokumentet e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), anëtarët e së cilës , përveç vendeve të BE-së, janë edhe Rusia e SHBA-të. E megjithatë, të gjitha këto parime të shpallura dhe kaq shumë deklarata të tjera të bukura paqësore, posht së cilave kishin vënë firmat e tyre të gjitha shtetet borgjeze, nuk ishin në gjendje të parandalonin luftën. Pse tani njohja e të njëjtave parime, të thëna mijëra herë, do ta ndalojë atë tani?
Për të kuptuar se çfarë saktësisht po ndodh konkretisht me këtë propozim kinez, duhet të shohim tablonë e përgjithshme, e cila ka dy nuanca kryesore:
a) Mprehjen dhe forcimin si dhe përmirësimin e mëtejshëm të sistemeve të armëve të përdorura nga të dy palët në konfliktin e luftës.
b) Të ashtuquajturin rindërtim të Ukrainës, duke përfshirë edhe "territoret e reja", siç i karakterizon Rusia territoret që ka bashkuar në territorin e saj.
Ana ushtarake e përfshirjes së Kinës në luftë.
Sipas Shian Lanshin, profesor kinez i Historisë dhe Politikës Botërore, «ushtria kineze kishte mbivlerësuar aftësitë e ushtrisë ruse. Në realitet, duhet t'i njohin kolegët e tyre rusë më mirë se kushdo tjetër -ne kemi kryer shumë stërvitje të përbashkëta, ndërveprime, dialogë në nivele të ndryshme. Jemi mësuar të besojmë se, pavarësisht problemeve ekonomike të Rusisë, ajo mbetet fuqia e dytë në botë në fushën ushtarake. Por, për të qenë i sinqertë, Kina priste shumë më tepër nga aftësitë ushtarake ruse. Dhe ky është një mësim që merret shumë seriozisht» {6}.
Vështirësitë specifike të ushtrisë ruse natyrisht që studiohen edhe nga pala e NATO-s, veçanërisht përballë objektivave ushtarake të vendosura nga çdo palë. Nëse pala ukrainase, duke u furnizuar me armë të reja nga NATO, vendos si synim ushtarak "çlirimin" e të gjitha territoreve ukrainase, përfshirë Krimenë, pala ruse vendos si qëllim kryesor ushtarak "çlirimin" e të gjithë kufijve administrativë të territoreve që ajo i ka bashkuar në territorin e saj. Gjithashtu, nuk mund të injorohet fakti se Odessa është i vetmi qytet i madh, i cili gjendet në qendër të një brezi-territori tokësor më pak se 150 kilometra të gjatë, që Rusia mund të synojë të pushtojë për të arritur shkëputjen e plotë të Ukrainës edhe nga Deti i Zi, duke lejuar formimin e një kanali tokësor me "enklavën" e rëndësishme të Transnistrisë, rajon ky që është shkëputur nga Moldavia dhe prej vitesh udhëheqja e tij kërkon bashkimin me Rusinë.
Armë të reja hidhen në fushat e betejës. Efektiviteti i tyre nuk është vetëm një kualifikues për shitjet e tyre të reja në tregun e madh të armëve, ku SHBA, Rusia, Franca, Kina dhe Gjermania kanë një epërsi të qartë, por, në fazën përfundimtare do të përcaktojë edhe "fitimet" territoriale të secilës palë të konfliktit imperialist.
Ditët e fundit, janë forcuar thashethemet nga SHBA-të se Kina po përgatitet të dërgojë armë të reja në Rusi. Madje, SHBA-të vendosën sanksione ndaj kompanisë kineze "Spacety", të cilën e akuzojnë se i ka ofruar fotografi ajrore ushtrisë private ruse "Wagner", e cila është vërtetuar se është "maja e shtizës" e operacioneve ushtarake ruse në territorin e Ukrainës. Kreu i "Wagner"-it, duke u përpjekur t'i shmangë këto akuza, pohoi se për 1,5 vjet ushtria private ruse ka në dispozicion rreth 20 satelitë. Kështu që, ai mund të shohë çdo pikë në Tokë dhe nuk ka nevojë për fotografi ajrore nga satelitët kinezë {7}. Në të njëjtën kohë, u bë e njohur "kondra" e Wagner-it me Ministrinë e Mbrojtjes Ruse në lidhje me furnizimin e ryre me municione, gjë që, përveç intrigave të ndryshme brenda udhëheqjes ruse, konfirmon rëndësinë e furnizimit të mëtejshëm të pandërprerë të operacioneve ruse me municione dhe armë të reja, në të cilën Kina me të vërtetë mund të kontribuojë.
Pra, paraqitja e propozimit të "paqes" nga Kina synon të ruajë për këtë shtet një status "neutraliteti formal" në konflikt. Në të njëjtën kohë, në rastin e refuzimit të propozimit kinez, diçka që tashmë e kanë bërë SHBA-të, Kinës i jepet një pretekst shtesë për të vazhduar shitjen e municioneve dhe armëve ndaj Rusisë. Askush nuk mund të nënvlerësojë se Kina është aktualisht tregtari i katërt më i madh i armëve në botë dhe mund të furnizojë me lehtësi Rusinë me municione dhe armë moderne.
Shtrohet në tryezë “gjahu” i rindërtimit, brenda “zjarrit të luftës”
Propozimi kinez vjen në një kohë kur linjat kryesore të frontit mbeten kryesisht të qëndrueshme, ndërkohë që lufta nuk ka të ndalur dhe gjaku nga të dyja palët po derdhet lum, në të njëjtën kohë serviret në tryezë dhe “gjahu” i rindërtimit të infrastrukturës dhe qyteteve të shkatërruara.
Në mënyrë karakteristike, Werner Heyer, president i Bankës Europiane të Investimeve (BEI), deklaroi se kjo bankë vetëm në vitin 2022 «financoi projekte me vlerë prej 2.2 miliardë euro në Ukrainë kryesisht në infrastrukturën e transportit, Energjisë, ujësjellësit, të transmetimit të energjisë elektrike, në shkolla e spitale, me raportin aktual në vend që arrin deri më sot në 7.3 miliardë euro», duke vënë në dukje se fatura për "rindërtimin" e Ukrainës do të jetë gjigande dhe se kërkohen "garanci", ndërsa bëri thirrje për "mbështetje nga BE dhe mobilizim të sektorit privat para se të barojë lufta»{8}.
Në mënyrë të ngjashme, në territoret e pushtuara nga pala ruse, të cilat nuk janë aspak të papërfillshme, pasi në to jetojnë 11 milionë njerëz (2.2 në Lugansk, 4 në Donetsk, 1.5 në Zaporizhia, 1 në Kherson, 2.5 në Krime), ka qindra të njësive industriale, pasuri të madhe minerale dhe të tokave pjellore. Në rindërtimin e këtyre zonave (përveç Krimesë, e cila është përfshirë në Rusi që nga viti 2014), dhe ndërkohë që luftimet vazhdojnë, 50 - 60,000 ndërtues tashmë po punojnë gjatë gjithë kohës me 3 turne. Bazuar në të dhënat e nën-drejtorisë së re të Ministrisë së Infrastrukturës së Rusisë, në "territoret e reja" -siç quhen- të Rusisë, më 1 Mars 2023 ishin restauruar 4.700 ndërtesa dhe infrastruktura {9}.
Propozimi kinez, i cili i jep një përkushtim "rindërtimit" nga lufta, është në të vërtetë "shprehja e interesit" të Kinës për të zënë "radhën" me të gjitha ato monopole të ndërtimit dhe "bankave të rindërtimit" që synojnë të fitojnë një pjesë nga "byreku" i "rindërtimit” të infrastrukturës dhe banesave të shkatërruara nga lufta, të cilat sërish do të paguhen nga popujt.
Dragoi kinez me «shpatën» dhe «obulusin» e tij pretendon të marrë atë që beson se i takon edhe në zemër të Europës.
Referencat:
1. Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës, https://www.fmprc.gov.cn
2. «Eksportet e karburantit bërthamor dhe teknologjisë ruse u rritën me më shumë se 20% vitin e kaluar,» https://forbes.ua/ru
3. «Franca bleu 153 ton uranium të pasuruar nga Rusia për termocentralet e saj bërthamore në vitin 2022», https://tass.ru
4. Agjencia ruse e lajmeve TASS, 16/2/23, https://tass.ru
5. Kushtetuta e Federatës Ruse me ndryshimet e vitit 2022, faqja e internetit e Dumës së Shtetit - http://duma.gov.ru
6) Intervista e Shian Lanshin me F. Lukyanov, kryeredaktor i revistës «Rusia në politikën botërore», https://globalaffairs.ru
7) «Lajmet e Donbasit», https://novosti.dn.ua/ru
8) Werner Hoyer: Fatura e rindërtimit në Ukrainë do të jetë gjigande, https://www.in.gr
9) «Si Rusia po rindërton Neo-Rusinë nga rrënojat», https://baltnews.com
*Elisheos Vagenas është anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE), Përgjegjës i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Komitetit Qendror